Dy zyrtarë policorë janë plagosur mbrëmë rreth mesnatës në Skenderaj, njëri nga ta me armë e tjetri me mjete të forta. Në mesin e të dyshuarve për sulm ndaj policëve është edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.
Për këtë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin e saj përballë sulmit ndaj policëve.
Sindikata ka kërkuar nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e sulmit ndaj dy zyrtarëve policor në Skenderaj, me që rast njëri nga ta është plagosur nga armë zjarri kurse tjetri me mjet të fortë duke qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit! Jemi duke e përcjellur me vëmendje situatën e krijuar dhe do të reagojmë konformë informatave që do t’i sigurojmë…Zyrtarëve policor, të cilët gjenden në trajtim mjekësor u dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës përmes një deklarate ka thënë se dy zyrtarë policor janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën pas mesnatës.
Sipas policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.
Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.
Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.